Një zhvillim i ri është shënuar në hetimin për vdekjen e themeluesit të “Mango”, Isak Andik.
Mbrojtja e djalit të tij, Jonathan Andik, i ka kërkuar gjyqtares hetuese që të thërrasë për dëshmi gjashtë persona të lidhur me administrimin e pasurisë së familjes, hartimin e testamenteve dhe planin për krijimin e një fondacioni bamirës.
Sipas mediave spanjolle, qëllimi i mbrojtjes është të kundërshtojë dyshimet se pas vdekjes së biznesmenit mund të ketë pasur një motiv financiar.
Mes personave që kërkohet të dëshmojnë janë avokati Mikel Roka, noteri Ariel Sultan, drejtues dhe këshilltarë të përfshirë në menaxhimin e pasurisë dhe trashëgimisë së familjes Andik.
Një nga çështjet kryesore që pritet të sqarohet është fondacioni bamirës që Isak Andik kishte planifikuar të krijonte. Hetimi synon të përcaktojë se çfarë roli do të kishin fëmijët e tij në këtë strukturë dhe nëse krijimi i fondacionit do të ndikonte në ndarjen e pasurisë familjare.
Në një vendim të mëparshëm gjyqësor ishte përmendur mundësia e një motivi financiar, pasi biznesmeni dyshohet se kishte planifikuar ndryshime në testamentin e tij.
Mbrojtja e Jonathan Andikut kundërshton këtë interpretim dhe kërkon dëshmi të reja për të treguar se ndryshimet në testament dhe menaxhimi i pasurisë ishin pjesë e një procesi të zakonshëm familjar.
Dy motrat e Jonathanit, Sara dhe Judith Andik, kanë deklaruar më herët se nuk kishte konflikte financiare brenda familjes. Sipas tyre, babai i tyre e përditësonte testamentin rregullisht, duke marrë parasysh ndihmat dhe dhuratat që secili prej fëmijëve kishte marrë.
Në listën e personave që mund të dëshmojnë është edhe drejtori ekzekutiv i “Mango”, Toni Ruiz. Dëshmia e tij është miratuar tashmë, por ende nuk është caktuar data.
Mbrojtja pretendon gjithashtu se raporti policor për vdekjen e Isak Andikut përmban interpretime dhe supozime që, sipas saj, nuk mbështeten mjaftueshëm në prova konkrete.
Hetimi vazhdon, ndërsa dëshmitë e reja pritet të hedhin më shumë dritë mbi çështjen e testamentit, fondacionit dhe menaxhimit të pasurisë së familjes Andik.



Komentet (0)
Hyr për të komentuar